Në një moment shumë të rëndësishëm për përgatitjet për fushatën e ardhshme elektorale, republikanët kanë mbledhur kryesinë, për të folur për masat organizative që duhet të ndërmarrin vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.
Kryerepublikani Mediu ka ripërsëritur idenë e tij të vjetër për riformatim të së djathtës përpara këtyre zgjedhjeve, por megjithatë ai ka kërkuar nga anëtarët e partisë së tij angazhim maksimal për të qenë të përgatitur që në këto zgjedhje të mund të dalin edhe të vetëm.
Fatmir Mediu: “Ne kemi qenë dhe jemi për koalicione, por kemi qenë dhe jemi jo për koalicione të cilat do me thënë organizohen në momentet e fundit. Me kuptime apo mos kuptime të kryetarëve të partive. Duhet një koalicion çikë më i thellë, kemi pasur diskutime edhe me kryetarin e PD, por ndoshta ka ardhur një kohë që të dalim çikë nga pozicioni pritës. Unë mendoj që përfaqësues të kryesisë së partisë dhe të grupit parlamentar duhet tashmë të fillojnë të laborojnë çikë edhe filozofinë tonë elektorale, qoftë edhe si të vetëm, por sidomos në marrëdhënie me PD.”
Mediu ka kërkuar nga komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore të përfundojë sa më shpejt hartimin e kodit të ri elektoral. Shqetësim ky i shprehur një ditë më parë edhe nga faktori ndërkombëtar./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka