Mbrëmja e djeshme e “Njerëz të Humbur”, i dhurojë sërish emocione të forta teleshikuesve të Televizionit Klan. Një takim i radhës i vendosur në 3 përmasat që karakterizojnë këtë emision, kërkime në terren, informata dhe dëshmi direkte. Rasti i Ismet Muçkës i dha start mbrëmjes së shkuar së “Njerëz të Humbur”. Historia e djaloshit nga Fieri i zhdukur në drejtim të pa ditur tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut. Dëshmi të shumta të bëjnë të besosh për një vendodhje të mundshme të tij në kryeqytetin italian.
Rrugëtimi i guximshëm i djaloshit 14-vjeçar Stiljano Cekaj, e zhvendosi rrjedhën e emisionit në kërkime direkte në terren. Telefonatat e mbërritura tek gazetarët e emisionit, të cilat pohonin se e kishin parë Stiljanon në rrugët e Tiranës përgjatë të premtes, përktheheshin në kontrolle në kohë reale nga një grup i vullnetarëve të emisionit.
Me gjithë kontrollet e kryera dhe me ndihmën e policisë së shtetit, mbrëmja e djeshme nuk u kurorëzua me gjetjen e 14-vjeçarit, por la shpresën e mirë që gjetja është çështje kohe.
Pas 30 vitesh heshtje, gëzimi i gjetjes regëtiu për një moment tek familjarët e Mark Gjini, i zhdukur që prej vitit 1979, pas një shkëmbimi midis policëve kufitar jugosllav, zviceran dhe në fund italian. Mbas kërkimeve të kryera nga gazetarët e këtij emisioni u arrit të gjendej një person me vendbanim në Kanada, i cili përkonte në shumë detaje me personin që kërkonin. Me gjithë ngjashmërinë e habitshme, fatkeqësisht nuk ishte ai.
Veçmas këtyre rasteve të përmendura u trajtuan dhe plot raste të tjera mbrëmjen e djeshme. Shumë pikëpyetje që rëndonin mbi fatin e personave të humbur, u zbehën falë ndihmës së vyer dhe të domosdoshme të dashamirësve të këtij emisioni. Na ndihmoni t’i gjemë./tvklan.al