Hotel Dajti dhe kujtesa e tij historike duket të ketë qenë jo vetëm korniza simbolike frymëzuese e Bienales së katërt të Tiranës por, edhe hapësira më e mirë që mbërriti të tërheqë për mese një muaj numrin më të madh të vizitorëve krahasuar me tri bienalet e mëparshme.

 Në mbylljen e Bienales së katër të Artit Bashkëkohor të Tiranës, drejtori i saj, Edi Muka, publikon katalogun e punëve si dhe idenë për krijimin e një galerie të posaçme të Artit Bashkëkohor, që të funksionojë si një institucion i pavarur falë ndihmës së biznesit.

Edi Muka: “Ne kemi llogaritur, me përafërsi gjithmonë, një numër prej 10 mijë vizitorësh, një numër që bienalja nuk e ka arritur kurrë më parë gjatë edicioneve të saj. Natyrisht që këtu kanë ndikuar shumë gjëra, ka ndikuar dhe fakti që ishte te Hotel Dajti. Një ndërtesë shuam historike, me shumë kujtesë për të gjithë shqiptarët dhe me shumë kuriozitet sepse ndoshta një numër shumë i madh nuk e kanë vizituar kurrë më parë, Hotel Dajtit. Vendimi i të gjithë kuratorëve ishte që katalogu të mos ishte në formën e një libri, por të jetë në formën e një gazete, kjo për t’ju përgjigjur ndjekjes masive që ka pasur bienalja e Tiranës. Ne kemi filluar seriozisht punën për krijimin e … ose galerisë së parë të artit bashkëkohor të Tiranës, si një iniciativë e pavarur.”

Në Bienalen e 4-t të Tiranës prezantuan punët e tyre në mjediset e hotel Dajtit, por edhe në hapësira të tjera të kryeqytetit 60 artistë nga 30 vende të botës.

Shumë syresh u inspiruan drejtpërsëdrejti nga Hotel Dajti i lënë pas dore, apo transformimet që përjeton Tirana ditë pas dite, duke na e prezantuar atë si një arenë të madhe të Artit Konceptual./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani