Edhe pak orë mbeten nga mbyllja për dorëzimin e aplikimeve për Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetari Merin Maçi tha se nga burime jo zyrtare mësohet se deri në këto momente janë dorëzuar mbi 10 kandidatura.

“Në ditën e fundit të aftit të përcaktuar nga Ministria e Brendshme për të gjithë të interesuarit me gradën drejtues në radhët e policisë, për postin e rëndësishëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shteti, duket se orët e fundit kanë ngjallë interes tek disa prej kandidatëve të cilët kanë depozituar platformën e tyre dhe gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e kësaj gare. Ditët e fundit kanë qenë disi aktive sa i takon të interesuarve ndonëse nga ana e Ministrisë së Brendshme nuk jepet informacion zyrtar sa i takon aplikimeve të deritanishme. Burime jo zyrtare i thonë Tv Klan se janë mbi 10 kandidatë që kanë shfaqur interes për postin në fjalë. Vetëm pak orë na ndajnë nga përfundimi i këtij afati dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë edhe të tjera aplikime, ndonëse numri deri më tani po mbahet tejet hermetik nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, të cilët do të udhëheqin këtë proces edhe pas përfundimit të dorëzimit të kandidaturave”.

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave, ditën e enjte do të nisë puna e komisionit të posaçëm që do të bëjë vlerësimin e tyre.

“Ditën e nesërme nis puna për komisionin e posaçëm që do të merret me vlerësimin e kandidatëve në fjalë. Komisioni do të jetë i përbërë nga një zv/ministër i Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili do të bëjë një vlerësim të të gjithë kandidatëve, duke bashkangjitur dhe një vlerësim me pikë. Më pas njëri prej kandidatëve të rankuar me më shumë pikë në garë do të përzgjidhet nga Ministri i Brendshëm dhe emri i tij do t’i propozohet kryeministrit. Ky i fundit do të aprovojë më pas këtë emër duke i dhënë edhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”./tvklan.al