Data 18 Shtator, është dita kur përfundon afati i dorëzimit të aplikimit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, post ky i lënë vakant pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.
Burime pranë Ministrisë së Brendshme i thanë Tv Klan se deri tani vetëm pak punonjës policie që mbajnë gradën e nivelit “drejtues” kanë depozituar aplikimin.
Mes tyre janë drejtues aktual në radhet e policisë, emrat e të cilëve nuk konfirmohen nga Ministria apo dhe ish-drejtues që prej vitesh nuk janë pjesë e uniformave blu.
I tillë është edhe rasti i Shemsi Prençit, i cili këtë të hënë depozitoi dokumentacionin e nevojshëm për të qenë pjesë e garës për postin e rëndësishëm.
Me përfundimin e afatit, të mërkurën e 18 Shtatorit, Ministria e Brendshme pritet të publikojë listën me kandidatët e interesuar, të cilët më pas do kalojnë në filtrin e komisionit të posaçëm brenda 10 ditëve.
Pas vlerësimit me pikë të të gjithë aplikantëve, emri i njërit prej tyre do të përzgjidhet nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha për t’iu propozuar Kryeministrit.
Tv Klan