Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Ministrinë e Brendshme ka marrë në dorëzim 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në pronësi të Lefter Kokës dhe të 4 personave të tjerë, Miklovan Xhafa, Agim Seferi, Arbër Denizi dhe Mateo Rustani.
Bllokimi i këtyre pasurive vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që dënoi me 5 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka.
Bëhet fjalë për 88% të aksioneve në emër të Lefter Kokës, në një kantinë në Rrashbull me vlerë rreth 245 milionë Lekë.
Gjithashtu për llogari të shtetit kanë kaluar 3 njësi me sipërfaqe 297 m2 me vlerë 30 milionë Lekë. Në emër të 5 personave u bllokuan dhe 8 apartamente me sipërfaqe 789 m2 dhe vlerë 53 milionë Lekë.
Pjesë e konfiskimit gjithashtu është edhe një pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2 me vlerë rreth 13 milionë Lekë.
Lefter Koka, por edhe të pandehur të tjerë të dosjes së inceneratorit të Elbasanit u dënuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv dhe pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror apo zgjedhurve vendor si dhe pastrim parash.
Klan News