Tirana do të mirëpresë rreth 4 mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës në edicionin e 8-të Maratonës më 20 Tetor. Për të koordinuar mbarëvajtjen e eventit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët dhe vullnetarët e ngjarjes më të madhe sportive të vitit.
“Praktikisht po na vjen e gjithë bota në shtëpi. Ne e dimë edhe nga historia e Luizës apo Taulantit, se një atlet është edhe një influencer. Praktikisht, kemi një super mundësi që këtë Tiranën që e njohim për jetën, gjallërinë, kulinarinë e mikpritjen, ta njohë e gjithë bota”.
Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve pasi në disa prej rrugëve në kryeqytet do duhet të kufizohet lëvizja.
“Përveçse emergjencave, çdo qytet, edhe Nju Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë.”
Maratona e Tiranës është një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe një mundësi për t’u marrë me sport.
Tv Klan