Duke iu drejtuar shqiptarëve e përgjigjur akuzave të opozitës, kryeministri Edi Rama tha se trefishimi i bonusit të fundvitit vjen me buxhetin e këtij viti, jo atë të 2025-ës. Ai rreshtoi arritjet e qeverisë ndër vite në aspektin ekonomik.

“Sot Shqipëria ka rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë në rajon! E kemi gjetur vendin me 40 mld Euro borxh ndaj kompanive të ndërtimit e të shërbimeve. Rrugë të lëna rrugëve! Borxhi publik ishte mbi 17%, më i rrezikshmi në rajon. Ne si qeveri me atë situatë që gjetëm, dhamë vetëm 20 mijë lekë të vjetra bonusi në fundvit, bonusi i parë. E kemi rritur ekonominë 3-fish në këtë dekadë, 15% e kemi ulur borxhin publik. Kur kam ardhur këtu në këtë sallë për buxhetin e parë kemi vendosur 0 taksim e 0 TVSH ndaj biznesit të vogël, jemi i vetmi vend në rajon që nuk i taksojmë bizneset e vogla me xhiro deri në 100 mijë euro e 0 taksë deri në 200 mijë Euro xhiro. Ndërsa para se të vinim ne, paguante taksë 10% biznesi i vogël, e ai me xhiro mbi 55 mijë Euro paguante plus edhe 20% TVSH. Jemi zotuar që nuk do ketë asnjë ndryshim në taksimin e biznesit të vogël.”

Për rritjen e pagave, kreu i qeverisë tha:

E kemi nisur me një fond pagash afro 500 mln Euro dhe në buxhetin që do miratojmë fondi është 1.3 mld Euro! Kemi sot një pagë minimale 400 Euro dhe një pagë të përgjithshme 750 Euro.

Ai shtoi se do financohet ndjeshëm edhe sektori i mbrojtjes sociale.

“E dëgjoj shpesh që ne qenkemi të majtë se nuk i mbrojmë shtresat në nevojë, por buxheti flet ndryshe. Këtë  vit kishim 238 miliardë Lekë për mbrojtjen sociale, do jetë 248 miliardë Lekë në vitin e ardhshëm. Po t’u shtosh bonusin e pranverës do jetë edhe më shumë.”

/tvklan.al