Gjatë fjalës së tij për projektbuxhetin 2025 kryediplomati Igli Hasani tha se për diplomacinë shqiptare ka një shtesë në buxhet prej 635 milionë Lekësh ose prej 20 përqind se një vit më parë me investime në sistemin konsullor online dhe modernizimin e sistemit online për vizat shqiptare.

Për vitin 2025 sipas kryediplomatit Hasani, Shqipëria synon hapjen e të gjashtë kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Igli Hasani, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme: Një nga qëllimet tona për vitin 2025 është hapja e të gjashtë grupkapitujve, një arritje që do të shënojë një proces shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit dhe ky angazhim kërkon një përkushtim të fortë, bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtare si dhe një investim të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e standardeve në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reformat ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ministri Blendi Gonxhja që drejton Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin tha se në vitet 2025-2027 do të vazhdojë implementimi i një reforme të pensioneve.

Blendi Gonxhja, ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin: Sot jemi krenar për vlerësimin pozitiv për ekonominë shqiptare nga progres-raporti i Komisionit Europian që theksoi se Shqipëria ka një ekonomi funksionale tregu dhe qeverisje ekonomike të qëndrueshme, rritje të gjerë dhe të fortë ekonomie, investime të kapitalit vendas dhe të huaj u rritën, inflacioni vijon uljen, borxhi vijon të ulët, punësimi rritet dhe papunësia ulet, pagat rriten dhe forcohet lufta kundër informalitetit, përmirësohet dialogu për politikat e ndërmarjes së industrisë, rriten investimet publike, rritet infrastruktura dixhitale dhe përmirësohet indeksi i perceptimit ndaj korrupsionit.

56% të buxhetit për Ministrinë e Drejtësisë sipas ministrit Manja e zë sistemi i burgjeve. Manja tha se paraburgimi në Kukës, do t’i shërbejë edhe Kosovës.

Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë: Peshën më të madhe e zë sistemi i burgjeve me rreth 56% të totalit pastaj vijnë shërbimi i kthimit dhe të kompensimit të pronave me 31% të totalit dhe 13% e zënë programet e tjera që janë në fushën e përgjegjësisë së ministrisë së Drejtësisë.

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla adresoi akuza ndaj opozitës.

Taulant Balla, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin: Buxheti rritet kur rriten taksat sepse rriten të ardhurat. Kjo qeveri ka vendosur të mbaje të njëjtin nivel taksash, por të rrisë performancën e vetë në mbledhjen e të ardhurave dhe prandaj kemi shkuar në një buxhet 8.2. Ju për fat të mirë jeni fati jonë më i madh se sa herë dilni kundër një gjëje ajo gjëja rezulton të jetë gjëja e duhur për Shqipërinë. Dolët kundër reformës në drejtësi, ja ku jemi sot. Nuk latë rrugë, park, hekurudhë, kënd lojrash, shkollë, stadium e teatër pa dalë kundra.

Klan News