Kryeministri aktual i Shqipërisë Sali Berisha duket se do të marrë një mandat të dytë qeverisës, kështu  shkruajnë të përditshmet britanike “The Guardian”, “Earthtimes” dhe “Telegraf” në artikullin e tyre  për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Po kështu, edhe rrjetet prestigjioze “Euronews” dhe “Reuters”, thonë se kryeministri aktual i Shqipërisë do të mbajë postin e kreut të qeverisë, në një kohë që Shqipëria kalon testin e zgjedhjeve demokratike.

Mediat e huaja i referohen tre sondazheve të fundit, Gani Bobi në Klan, Zogbi në Top Channel dhe IPR Marketing në Ora News.  Ndërsa priten rezultatet paraprake zyrtare, mediat vlerësojnë ecurinë e procesit zgjedhor duke theksuar se nuk janë shënuar incidente apo parregullsi, ndërsa vetë zgjedhjet konsiderohen si testi i rëndësishëm për integrimin europian të Shqipërisë. 

Zgjedhjet janë monitoruar si nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të cilat i shohin ato si një barometër të maturisë politike të Shqipërisë. Po kështu, këto zgjedhje parlamentare vazhdojnë të ndiqen nga afër edhe nga mediat në Kosovë e Maqedoni. Duke cituar rezultatet e 3 sondazheve në Shqipëri, mediat në Kosovë si Kosova Press, Radio Televizoni i Kosovës, shkruajnë se Partia Demokratike është dukshëm në avantazh kundrejt partisë socialiste. Po kështu, edhe në Maqedoni, televizioni A1 thotë se procesi zgjedhor në Shqipëri kaloi qetë dhe sipas modelit europian./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj