Në ambientet e Muzeut Kombëtar, kreu i republikanëve Mediu, bëri prezantimin e kandidatëve për deputet të zonës numër 9 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse numri një i republikanëve u ndal tek çështja e pronës private ku theksoi se partia që ai përfaqëson që në fillimet e saj e ka pasur si themel të drejtën e pronës.
Fatmir Mediu: “Partia Republikane ka qenë një partia e vetme, e cila qysh në fillim të viteve 1990 e ka ngritur këtë çështje si një nga çështjet më thelbësore të shoqërisë shqiptare. Në radhë të parë, sepse ishte çështje e së drejtës, pra ne republikanëve në vitin 1990 e kërkuam Shqipërinë si Evropa dhe nuk thamë që mund ta bëjmë ndryshe përveçse me ligjet evropiane siç është Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Por gjithashtu thamë se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa nëpërmjet vlerës që tregon tregu dhe pa një treg të lirë, nuk mund të ketë të ardhme ekonomike të Shqipërisë. Por ekono0mia e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet, pa ndërtuar në realitet të qëndrueshëm të pronës private. Prandaj kërkuam me insistim e të drejtës së pronës private dhe jo vetëm e kërkuam me demagogjitë politike elektorale, por punuam në mënyrë të vazhdueshme për këtë çështje, për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për ta kuptuar si fenomen.”
Duke folur mbi punën e koalicionit të djathtë këto vite mazhorancë, Mediu u shpreh se vota e Shqiptarëve më 28 qershor do ti japë vijimësi reformave të nisura nga qeveria./tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi