Turi elektoral i kreut republikan Fatmir Mediu vijoi në veri të vendit. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin elektoral në qytetin e Kukësit, Mediu u ndal tek zgjedhjet e 28-qershorit, duke thënë se vota për Partinë Republikane është vota për të vijuar rrugën e nisur në këto katër vite.

Mediu tha,se gjatë mandatit të dytë të qeverisjes së djathtë rëndësi primare do të ketë arsimi, i cili do të ketë investime edhe më të mëdha se katër vitet e para të qeverisjes. Duke analizuar arritjet dhe sukseset e qeverisë, kreu republikan tha se pas anëtarësimit në NATO, koalicioni i djathtë do të vazhdojë punën e nisur me të tjera reformat të suksesshme.

Fatmir Mediu: “Votoni PR, votoni numrin 16. Nuk do të ndalemi në rrugën tonë të angazhimeve tona. Në radhë të parë duke u fokusuar te arsimimi dhe edukimi i fëmijëve tanë, si të arsimohen dhe edukohen fëmijët tanë sot do të jetë e ardhmja e Shqipërisë nesër. Prandaj ndërtimi i shkollave, ndërtimi i kushteve për arsimim dhe edukim, sidomos stimulimi i të rinjve të cilët duan të studiojnë në universitetet më të mira të botës duke u financuar  nga shteti, do të jetë qëllimi dhe angazhimi ynë.”

Mediu nuk la pa përmendur investimin më të madh të qeverisë shqiptare, rrugën Durrës-Kukës, që ai e cilësoi një vepër historike dhe madhështore. Ai tha, se finalizimi i arritjeve të kësaj qeverie do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Europian./tvklan.al