Qeveria më e madhe në historinë politike të Malit të Zi është rezultat i krijimit të portofoleve sipas nevojave të partive, e jo të qytetarëve, vlerëson për Radion Evropa e Lirë analisti politik, Marko Pejoviç.
Kuvendi i Malit të Zi votoi për rikonstruktimin e qeverisë më 23 korrik.
Qeveria ka tani 26 ministri dhe shtatë zëvendëskryeministra, përkatësisht nëntë anëtarë më shumë se Qeveria e formuar nga kryeministri Millojko Spajiç vetëm dhjetë muaj më parë.
Asaj iu bashkuan partitë e Frontit Demokratik prorus dhe Partia Boshnjake.
Pejoviç beson se me shtimin e sasisë, qytetarët nuk do të fitojnë cilësi.
“Nuk mund të presim që qytetarët të kenë përfitime. Me siguri që gjithçka do t’iu kushtojë shumë. Për paratë që do të shpenzohen për departamentet e reja, ata nuk do të marrin shërbime më të mira nga pushteti ekzekutiv”, thotë ai.
Përmasat e kabinetit të Spajiçit i kritikoi edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, i cili tha se qëllim i qeverisë më të madhe në histori është mbrojtja e interesave individuale, për të cilat qytetarët do të paguajnë shumëfish.
“Gjithçka derisa të rehatohet edhe funksionari i fundit partiak”, shkroi Millatoviç në rrjetin X.
E, kryeministri i parë pas rënies së Partisë Demokratike të Socialistëve në vitin 2020, Zdravko Krivokapiç, e cilësoi rikonstruktimin qeveritar si “një ekstravagancë politike”, të cilën, siç tha, do ta paguajë populli.
Qeveria e Krivokapiçit i kishte 12 ministra, mes të cilëve ishin edhe Spajiç e Millatoviç.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Financave të Malit të Zi se sa do të jetë më e lartë kostoja, për shkak të zgjerimit të administratës, por nuk mori përgjigje.
Paraardhësi i Spajiçit në pozitën e kryeministrit, Dritan Abazoviç nxori, siç tha, një vlerësim të përafërt, sipas të cilit 1everia do t’i shpenzojë rreth 420 mijë euro më shumë në muaj.
Qeveria nuk e kontestoi këtë vlerësim.
Opozita kritikon numrin e lartë të ministrive
Mali i Zi, i cili ka pak më shumë se 620.000 banorë, me 32 anëtarë të Qeverisë dhe me 54 sekretarë shtetërorë, ka qeverinë më të madhe në Evropë.
“Imagjinoni, ne kemi një kabinet me mbi 30 anëtarë të qeverisë. As Kina me një miliard e gjysmë banorë nuk e ka. Ajo ka 24 ministri”, tha Andrija Nikolliç, deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve, që është subjekti më i madh opozitar.
Millosh Konatar, nga Lëvizja Ura, tha se në sallën e Kuvendit janë vetëm 25 vende për ministra.
“Kur të vijë ora e ardhshme e kryeministrit, do të vijnë mbi 30 anëtarë të Qeverisë. Duhet të blihen karrige që ministrat e rinj të kenë ku të ulen”, tha Konatar.
Si u krijuan ministritë e reja?
Spajiç arriti në 26 ministri duke i ndarë disa ministri ekzistuese në disa më të vogla dhe duke krijuar disa të reja.
Kështu, me punët e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të merren dy zëvendëskryeministra, njëri prej të cilëve është Ervin Ibrahimoviç, kryetar i Partisë Boshnjake dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Zëvendëskryeministri i dytë është ish-ministri i Punëve të Jashtme, Fillip Ivanoviç, doktor i filozofisë dhe poliglot.
Me infrastrukturën dhe zhvillimin rajonal do të merren: zëvendëskryeministri Millun Zogoviç, ministri i Planifikimit Urban, Sllaven Radunoviç, ministri i Zhvillimit Verior, Damjan Qullafiç, si dhe ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve, Ernad Suleviç.
Me ndërtimin e rrugëve dhe përmirësimin e industrisë detare do të merren ministrja e Transportit, Maja Vukiqevi7, dhe ministri i Punëve Detare, Fillip Radulloviç.
Për energjetiken do të kujdeset ministri i Energjisë, Sasha Mujoviç, e veçanërisht me naftën, gazin dhe minierat do të merret ministri i ri, Admir Shahmanoviç.
Mali i Zi, përndryshe, nuk ka burime të naftës dhe gazit, ndërsa vetëm një minierë e ka në funksion.
Duke vënë në dukje këtë fakt, deputeti socialdemokrat, Nikolla Zirojeviç, me ironi tha se duhet të emërohet një drejtor i metrosë – gjë të cilën Mali i Zi nuk e ka.
“I bëj thirrje kryetarit të Komunës së Plevlës që ta sjellë Partinë Boshnjake në pushtet dhe t’ia ndajë postin e drejtorit të metrosë, sepse ajo ekziston në Plevle, po aq sa nafta dhe gazi në Mal të Zi”, tha Zirojeviç.
Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve është gjithashtu përgjegjëse për bashkëpunimin me organizatat joqeveritare.
Ministri i vetëm pa portofol është përgjegjës për marrëdhëniet e qeverisë me Kuvendin e Malit të Zi.
Nuk priten rezultate
“Është krijuar një numër i madh i ministrive që nuk kanë memorie institucionale, prandaj nuk duhet të presim rezultate”, thotë Pejoviç, i cili është drejtor i programeve në OJQ-në “Uzor” në Mal të Zi.
Sipas tij, ministritë e reja nuk kanë personel e as përvojë të mëparshme.
Ai beson se, pas rikonstruktimit të gjerë të qeverisë, është i nevojshëm një sistemim i ri dhe organizim i brendshëm i pushtetit ekzekutiv.
“Atëherë, do të dimë se sa drejtori do të jenë, se sa njerëz do të punësohen në departamentet e reja. Është e sigurt që gjithçka do të kushtojë shumë më tepër se tani”, thotë Pejoviç.
Ai shton se krahas punësimeve në qeveri, priten edhe punësime në kompani të themeluara nga shteti dhe pushteti vendor.
“Punësimet janë pjesë e marrëveshjes politike. Shpenzimet në bazë të kontratave të punës do të rriten ndjeshëm”, thotë Pejoviç.
Kryeministri i Malit të Zi, Spajiç, është zotuar se qeveria e rikonstruktuar do të mbetet e përqendruar në rrugën evropiane, por opozita beson se pas përfshirjes së Frontit Demokratik prorus, ajo do të jetë nën ndikimin e Serbisë dhe Rusisë, qëllimi i të cilave nuk është hyrja e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.