Kryeministrja Meloni ka zgjedhur ekranin e RAI 3 për ta mbrojtur homologun e saj shqiptar Edi Rama përballë sulmeve të së majtës dhe medias italiane që e përkrah atë për zbatimin e planit për qendrat e pritjes së refugjatëve.
Giorga Meloni, kryeministre e Italisë: Dua të falënderoj publikisht Edi Ramën sepse ai ka qenë objekt i çdo lloj sulmi, që kur vendosi që të nënshkruajë këtë protokoll me ne. Ajo që dëshiron të bëjë Edi Rama është që të ndihmojë Italinë. Fakti që e majta këtu kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane që e quan Shqipërinë narko shtet, fakti që atij i atribuojnë fjalë që nuk i ka thënë, është padrejtësi. Nuk e kuptoj pse e majta italiane nuk e falenderon Edi Ramen që po na jep një dorë për të përballuar fenomenin e emigracionit të paligjshëm. Besoj se ne duhet ta falënderojmë të gjithë Edi Ramën për këtë kontribut.
Sipas Melonit projekti me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve po ecën përpara madje po shërben is model ehde për shtete të tjera.
Giorga Meloni, kryeministre e Italisë: Projekti me Shqipërinë po ecën përpara dhe do të jetë plotësisht funksional pas një kohe jo shumë të gjatë. Ky projekt dëshmon se ne po i bëjmë këto lëvizje për të mirën e vendit tonë. Mendoj se kemi të bëjmë me një projekt shumë strategjik.
Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse protokolli me Shqipërinë funksionon siç duhet, do të ndikonte pozitivisht në menaxhimin e duhur të refugjatëve të paligjshëm edhe në nivel europian. Dikur na akuzonin për ndërtimin e Guantanamos në Shqipëri, tani po ankohen se po vonohet procesi për ngritjen e këtyre qendrave të pritjes, të ashtuquajturës Guantanamos. Duhej të paktën një minimum koherence, por të mos shqetësohen se ky projekt me Shqipërinë do të jetë i suksesshëm, duke shërbyer si model për të tjerët.
Projekti për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin pritet të nisë nga funksionimi në muajt në vijim, duke pritur në të refugjatët e shpëtuar në det nga marina italiane.
Klan News