Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me mësues të shkollave të ndryshme në vend, me të cilët bashkëbisedoi për situatën e pandemisë së Covid-19.
Gjatë komunikimit me ta, kryedemokrati dëgjoi mësuesit të cilët shprehën problematikat dhe shqetësimet për mënyrën e menaxhimit të pandemisë në shkolla.
“Në një shkollë të Elbasanit sot janë identifikuar 7 mësues me Covid-19. Nuk kemi nga ta dimë ne që këto mësues nuk janë mbartës të virusit. Në shkolla mungojnë mësues mbështetës, mungojnë psikologët shkollorë”.
Një tjetër mësuese ka thënë se një kolege e tyre humbi jetën për shkak të koronavirusit, dhe ambientet e shkollës nuk u dizinfektuan.
“Ditën e enjte një nga koleget tona të qytetit të Lushnjës, ka humbur jetën. Nuk u morën masat, nuk u dizinfektuan shkollat. Lushnja është e frikësuar. Punojmë duke e ditur që po përballemi me virusin”.
Një tjetër shqetësim që u shpreh ishte edhe trajtimi i mësuesve.
“As që bëhet fjalë për orarin e ndërmjetëm për dezinfektimin e klasave. Nuk ka mësues zëvendësues, orët shtesë nuk paguhen. Jemi kthyer në shkolla e WhatsApp-it. Kam nxënëse të deklaruar me Covid dhe të infektuar prej tyre. Nuk ka asnjë mënyrë që nxënësit me COVID të ndjekin mësimin. Ndihemi të shpërdoruar, jemi përdorur për fasadë, për video”.
Ndërsa kryedemokrati Basha i bëri thirrje qeverisë që të testojë vazhdimisht mësuesit dhe shkollat të dizinfektohen periodikisht. /tvklan.al