Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ka vijuar akuzat kundrejt lidershipit aktual socialist për bashkëpunim të hapur me mazhorancën e djathtë, duke pasur si qëllim të vetëm ndarjen e pushtetit dhe jo ecurinë e reformave në vend.
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Meta duke iu referuar deklaratave të Ramës për një politikë përtej së majtës dhe së djathtës, tha se kjo arrihet duke pasur aksione politike të përbashkëta. Ndërkaq Meta konfirmoj, se koalicioni e majta për Integrim, iniciuar nga LSI pak muaj më parë do të ketë ballafaqimin e parë me elektoratin në zgjedhjet e pjesshme që do të mbajë në Kashar së shpejti.
Ilir Meta: “Vetëm njerëz të cilët kanë mentalitet autoritar, njerëz të cilët nuk dinë se çfarë është opozita, njerëz të cilët nuk kanë objektiv politik, shkurtimin e ditëve të kësaj qeverie të dështuar e anti-popullore, të cilët nuk kanë qëllim dorëheqjen apo largimin e Sali Berishës, por ndarjen e pushtetit dhe të korrupsionit, me të mund të justifikojnë pseudo reforma të tilla”.
Ndërsa kreu i PDS Paskal Milo, tha në kongresin e gruas të kësaj partie, se bashkimi i partive opozitare është mundësia e vetme për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai hodhi idenë që partitë e majta të ulen për të diskutuar dhe për çështjet e reformës zgjedhore./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama
Operator: Enver Shehu