Mes qindra qytetarëve të Njësisë Bashkiake Nr. 1 të Shkozës, në kryeqytet, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se shqiptarët do të votojnë në këto zgjedhje për LSI-në, pasi është kjo forca politike që do mund të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ku e futi qeveria Berisha.
Ilir Meta: “Në 28 qershor, shqiptarët do të votojnë për Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse e kuptojnë që vetëm kjo forcë politike mund t’i nxjerrë nga kriza ekonomik e sociale e mbi të gjitha nga kriza e besimit që ofrojnë alternativat e vjetra me në krye alternativën më të vjetër që përfaqëson vetë kryeministrin në largim Sali Berisha.”
Duke theksuar edhe një herë për banorët e Shkozës, devizën me të rëndësishme të programit elektoral të partisë së tij, punësimin dhe zhvillimin e ekonomisë prodhuese, lideri Meta premtoi se vetëm një lidership i provuar, sikundër është ai dhe bashkëpunëtoret e tij, mund të realizojnë të gjitha politikat për ta kthyer ekonominë e vendit nga konsumator në një ekonomi prodhuese e për pasojë konkurruese ne tregun evropian.
Ilir Meta: “Shqiptarët do të votojnë për LSI-në sepse kërkesa më e madhe e shqiptarëve sot është për të punuar dhe programin më të mirë për punësimin e ka Lëvizja Socialiste për Integrim.”
Këto deklarata kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i beri gjatë prezantimit të kandidatit për deputet në këtë njësi të Tiranës, Ilir Dashi./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani