Ende pa u certifkuar rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit, fituesja e tyre, VMRO-DPMNE ka përcaktuar kornizën e negociatave për Qeverinë e re. Hirstian Mickoski ndonëse nuk përjashton asnjë forcë që ka pika të përbashkëta programore me VMRO-DPMNE-në, lë të kuptohet se sa i përket partive shqiptare, preferon koalicionin “VLEN”.
“Me rezultatin e “VLEN-it” prej 107.000 votave, vlerësoj se ata konfirmuan kredibilitetin e tyre dhe ata mund të jenë partner kredibil në qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe unë si mandatar i ardhshëm.”
Mickoski ka besim se bashkë me “VLEN”, dhe elementët e tjerë që do t’i bashkohen këtij koalicioni qeverisës, mazhoranca do të arrijë të ketë në Kuvend një mbështetje të gjerë.
“Vlerësoj se deri më 28 Maj ka mundësi të konsolidojmë 61 deputetë. Ka sinjale nga individë dhe presim që të konsolidohet kjo shifër dhe bashkë me “VLEN” të kemi 74-75 deputetë”.
Krahas koalicionit të shqiptarëve “VLEN”, pjesë e kësaj mazhorance ka shprehur dëshirën të jetë edhe lëvizja ZNAM, e cila kusht të vetëm për t’u bërë pjesë e qeverisë ka mospërfshirjen në këtë të BDI-së së Ali Ahmetit.
Më herët, ishte vetë Ahmeti i cili nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale bëri të ditur se legjitimitetin e vetëm për të përfaqësuar shqiptarët e ka koalicioni Fronti Europian.
Tv Klan