Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dekoroi 4 efektivet e policisë të cilët ranë në krye të detyrës në përpjekje për arrestimin e të shumëkërkuarit, Dritan Dajti.
Duke i shpallur dëshmorë të atdheut Basha shprehu përuljen dhe në të njëjtën kohë krenarie për ata që ranë duke luftuar kriminalitetin.
Lulzim Basha: “Ne përulemi sot para atyre që bënë sakrificën më të lartë, që ofruan gjënë më të shtrenjtë. Ata ranë në kohë paqe e si dëshmorë të luftës së shoqërisë me krimin. Ata janë dhe mbeten simbolet e përkushtimit më sublim, më të lartë, më të pa arritshëm, më drithërues të një qytetari ndaj shoqërisë, të një patrioti ndaj atdheut, të një prindi ndaj familjes”.
Numri një i Ministrisë së Brendshme garantoi gjithashtu se familjet e të rënëve do të kenë mbështetje politike dhe financiare, duke sqaruar se projektligji për të ardhurat e familjeve të dëshmorëve pritet të miratohet brenda një kohe të shkurtër. Basha foli gjithashtu dhe për rishikimin e statusit të punonjësve të forcave të rendit.
Lulzim Basha: “Ministria e Brendshme së bashku me policinë e shtetit po përfundojnë projekt-vendimin e këshillit të ministrave për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, ose për shkak të detyrës, ku përfshihet periudha nga 31 marsi i vitit 1991 dhe së shpejti nis punën për rishikimin e statusit të punonjësit të policisë. Në përputhje me direktivat e kryeministrit Berisha, sipas këtij vendimi të këshillit të ministrave, parashikohet që familjet e të rënëve do të përfitojnë të ardhurat e plota të bashkëshortit deri sa fëmijët të arrijnë moshën 18-vjeçare”.
I pranishëm në këtë ceremoninë ishte dhe ambasadori amerikan John Withers. Pjese e kësaj ceremonie ku u dha statusi dëshmorëve të kombit 4 efektiveve të rënë në krye të detyrës në muajin Gusht, në Durrës, Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Saimir Duckallari dhe Kastriot Feskes, ishte edhe një homazh në varrezat e dëshmorëve të kombit./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi