Vendet e NATO-s shprehën sërish mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në samitin e Prillit.

Garancia për këtë sukses politik u dha në ministerialin e ministrave të jashtëm të NATO-s, i cili zhvilloi punimet në Bruksel me 4 dhe 5 Mars, ku mori pjesë dhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.

Pas ratifikimit të protokolleve shumë prej vendeve anëtare të Aleancës kanë depozituar tashmë në Uashington kërkesat për anëtarësimin e vendit tonë.

Në takimin që Basha ka zhvilluar me sekretaren e shtetit, Hillary Clinton, kjo e fundit ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën e saj për anëtarësimin në NATO duke shprehur bindjen që në këtë samit Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota.

Lulzim Basha: “Përsa i përket çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Kroacisë është theksuar vullneti i të gjithë anëtarëve për ta përfunduar procesin me depozitimin e instrumenteve, procesi i cili ka ecur shumë mirë deri tani. Ka vetëm një numër shumë të vogël vendesh, të cilët janë në proces depozitimi dhe sot në mbledhje përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë rikonfirmuar vullnetin e tyre për ta përfunduar këtë proces sa më shpejt. Në takimet që pata me homologët e mi, duke përfshirë dhe sekretaren e shtetit, Clinton, na përgëzoi për këtë arritje të madhe të vendeve tona, siç e theksoi, duke theksuar se kjo është në radhë të parë një arritje e demokracive shqiptare dhe kroate në rrugën e tyre jo të lehtë, por të suksesshme të reformave.”

Gjatë ministerialit është diskutuar edhe për Kosovën dhe situatën në rajon, ku është konfirmuar qëndrimi i misionit të forcave të NATO-s në Kosovë.

Lulzim Basha: “Nuk ka absolutisht asnjë plan për tërheqje trupash të KFOR-it nga Kosova. Trupat do të vazhdojnë të jenë të pranishme. Do të vazhdojmë të kryejmë mandatin e tyre duke mbështetur plotësisht EULEX-in, puna e të cilit është shumë e rëndësishme”.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Basha ka zhvilluar takime të veçanta me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, si dhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Havier Solana, ku reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare janë cilësuar si shumë të suksesshme./tvklan.al