Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mori pjesë në certifikimin e 24 oficerëve të policisë të cilët zhvilluan një trajnim për parandalimin e terrorizmit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fjalën e tij, Basha, tha se lufta kundër terrorizmit është një nga platformat e përbashkëta të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Lulzim Basha: “Sukseset e arritura deri tani në luftën kundër krimit të organizuar, me sigurimin e kufijve tanë duhet të na inkurajojnë për të vazhduar më tej në këtë drejtim. Ç’ka është dhe një parakusht i realizimit të objektivave tona madhor, nga më të rëndësishmit këtu do të rreshtoja natyrisht liberalizimin e vizave me BE-në.”

Në ceremoni ishte e pranishme dhe zëvendës ambasadorja amerikane, Deborah Jones, e cila vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Deborah Jones: “Dua të ritheksoj praninë e mirëkuptimit dhe frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Sigurisht janë mbajtur trajnime të tilla edhe më parë dhe sërish të tjera do të mbahen për rritjen dhe efikasitetin e institucioneve ligjzbatuese.”

Janë rreth 20 trajnime të organizuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi luftën kundër terrorizmit nga të cilat do të përfitojnë 500 oficerë policie./tvklan.al