Lajme Arkiva 2003

Çmimi i energjisë elektrike do të rritet në mënyrë të përshkallëzuar deri në vitin 2015. Kjo masë është parashikuar në strategjinë kombëtare të energjisë, ku analizohet situata aktuale dhe jepen rekomandime për ndryshimet që do të ndërmerren në sektorin energjetik.

Në këtë strategji parashikohet që furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve të mbështetet te importi më tepër se sa te prodhimi vendas. Ministri i Energjetikës Viktor Doda i cili ka marrë pjesë në prezantimin e strategjisë  kombëtare të zhvillimit të energjisë deri në vitin 2015 u shpreh se sistemi i ardhshëm energjetikë do të jetë më shumë i orientuar drejt konsumatorit.

Viktor Doda: Strategjia e sektorit të energjisë zhvillohet si një strategji kombëtarë që ka në themel të saj interesat bazë të vendit dhe të qytetarëve të tij dhe në përputhje me kërkesat e zhvillimit perspektivë të vendit dhe atij rajonal. Hartimi i skenarëve të zhvillimit të ardhshëm të sistemit energjetik është baza mbështetëse për hartimin e draft-dokumentit të strategjisë kombëtare të energjisë me të cilën parashikohet zhvillimi që do të ketë sektori i energjisë, industria e naftës, industria e gazit, qymyrit dhe e gjithë lëndëve të tjera energjetike.

Plani i veprimeve për zbatimin e strategjisë kombëtare të energjisë parashikon ndërhyrjet që duhen bërë në kuadrin ligjor në sistemin tarifor në ristrukturimin tregut të energjisë, integrimi i këtij sektori në tregun rajonal dhe atë evropian si dhe përgatitjen për privatizimin e tij./tvklan.al