Ministri i sporteve Ylli Pango ka konfirmuar se projekti  më i madh për sportin për vitin 2009 do të jetë rikonstruktimi i stadiumit “Qemal Stafa”, që do të bëhet në bashkëpunim me federatën e futbollit me FIFA-n dhe UEFA-n.

Ylli Pango: “Investimi më i madh që përgatitemi të bëjmë në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n do të jetë rikonstruksioni i plotë i stadiumit “Qemal Stafa” me një vlerë që do të shkojë rreth 10 milion euro, për ta kthyer atë në stadium të përmasave dhe të standardeve ndërkombëtare. Pra le ta quajmë këtë si një prelud të një pune shumë të madhe që parashikojmë të bëjmë në 2009.”

Në stadium do të ndërhyhet në disa faza. Punimet kryesore do të jenë për mbulimin e  tribunës karshi asaj kryesores dhe shtimin e vendeve për tifozët. Në përfundim mendohet që Qemal Stafa të jetë një stadium i standardeve të Chapions League.

Ministri Pango gjeti rastin ta thotë këtë gjatë inaugurimit të një fushe minifutbolli, e cila do të jetë në shërbim të shtëpisë së fëmijës “Zyber Allulli”, por edhe të komuniteti në zonën e minibashkisë numër 2./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe