Procesi i aplikimit për kartat e identitetit është duke u zhvilluar normalisht dhe të gjitha pretendimet e Partisë Socialiste në lidhje me këtë çështje janë të pavërteta.

Sipas ministrisë se Brendshme deri më sot 800 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me kartat e identitetit, janë prodhuar mbi 600 mijë letërnjoftime ku 350 mijë janë në qarkullim. Gjithashtu dhe procesi i pajisjes me kupona me vlerën 2 mijë lekë po funksionon normalisht.

Fatmir Konja: “Kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit janë në kuota maksimale respektivisht 22 mijë dhe 20 mijë në ditë. Procesi i pajisjes me kupona me vlerën 200 lekë të personave pa pasaportë, si nga ana e njësive vendore, ashtu edhe nga zyrat e postës po funksionon normalisht. Vetëm gjatë 2 ditëve të fundit në sportelet postare të qytetit të Tiranës kanë përfituar këto kuptona rreth 1 mijë persona të evidentuar në listat e qytetarëve pa pasaportë.”

Ndërkohë ka reaguar dhe posta shqiptare me anë të një njoftimi për shtyp e cila hedh poshtë të gjitha zërat për kaos pasi procesi është duke u zhvilluar normalisht.

Arta Kazazi: “Procesi i shitjes së kuponave po ecën normalisht. Posta shqiptare me gjithë strukturat e saj është angazhuar totalisht deri në zyrat fundore në fshate fundore për të pajisur qytetarët me kupona për karta ID. Janë shitur kupona për studentët rreth 4600 kupona dhe janë blerë janë tërhequr kupona nga komuna dhe bashki në të gjithë territorin e Shqipërisë rreth 3300 kupona.”

Sipas postës pajisja me kupona për pensionistet po ecën me ritme të shpejta dhe deri tani rreth 35 mijë pensionistë janë rimbursuar.

Mimi Kodheli: “Në shumë komuna të vendit zyrat postare ende nuk kanë filluar të shesin kuponat me tarifat e reja. Për më tepër ende sot nuk ka asnjë informacion publik nga qeveria mbi mbarëvajtjen e procesit të aplikimit të shtetasve shqiptar për letërnjoftime elektronike pas miratimit të tarifave të reja.PS përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj për ftesën për të gjithë votuesit shqiptar të pa pajisur me pasaportë për të aplikuar një orë e më parë dhe për të ruajtur faturën.”/tvklan.al