Fatmir Konja: “Ministria e Brendshme, sqaron opinionin publik se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira europiane. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj para ditës së zgjedhjeve duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë. Lista përfundimtare e zgjedhësve, është një listë e hartuar dhe e konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar i çdo njësie të qeverisjes vendore. Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100-vjeç. Por për sa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre siç e parashikon ligji, askush nuk mundet ti fshij ata nga regjistri kombëtar i shtetasve. Duket krejt i pa arsyeshëm pretendimi i PS-së për të konsideruar të vdekur, çdo shtetas që ka mbushur moshën 90-vjeç. Në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, Ministria e Brendshme sqaron edhe njëherë opinionin publik, forcat politike dhe të gjithë aktorët të interesuar se pas datës 15 qershor, sapo të mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë qytetarët pa pasaportë, do të dërgohet pranë KQZ-së dhe forcave politike të interesuara lista e plotë e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar”./tvklan.al