Rritet interesi qytetar për tërheqjen e dokumenteve të rinj identifikues.

Vetëm një ditë para zgjedhjeve shumë qytetarë janë drejtuar në zyrat e shpërndarjes së kartave të identitetit për të tërhequr këtë dokument identifikimi me anë të të cilit mund të votojnë.

Ministria e Brendshme duke bërë edhe njëherë thirrje për tërheqjen e kartave të prodhuara, bën me dije se zyrat do të qëndrojnë të hapura sot dhe nesër deri në orën 19:00, kur parashikohet edhe mbyllja e procesit te votimit.

Fatmir Konja: “Ky dokument identiteti i standardeve më të larta ndërkombëtare u jep atyre mundësinë që nesër të realizojnë të drejtën e votës. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin. Gjithashtu edhe për t’ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe nesër gjatë gjithë ditës nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilët kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar.”

Pavarësisht interesit qytetar për të tërhequr kartat e identitetit, numri i kartave të prodhuara që qëndrojnë në zyrat e shpërndarjes vazhdon të jetë i madh./tvklan.al