Lajme Arkiva 2003
Komisioni i dramës shqipe i ngritur pas konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve i përbërë nga 5 anëtarë me kryetar Josif Papagjonin po vazhdon punën për të zgjedhur 50 veprat e depozituara pranë tyre në gjininë e dramës, komedisë dhe vepra eksperimentale.
Dramat po vazhdojnë të lexohen nga të gjithë anëtarët sepse përzgjedhja nuk do të bëhet kësaj here me diskutim nëpërmjet selektimeve, por me përzgjedhje nëpërmjet leximit.
Komisioni në mbledhjen e fundit të zhvilluar ka përzgjedhur 16 vepra nga të cilat do të ketë sërish një tjetër përzgjedhje për të arritur në momentin përfundimtar ku do të përzgjidhen edhe 4 veprat më të mira, pra nga 3 do të ketë 4 çmime për këtë konkurs, sepse është shtuar edhe një çmim për debutuesit më të rinj.
Ndërkohë në veprat e zgjedhura deri më tani bien në sy emra autoresh të rinj të padëgjuar më parë , por edhe dramaturg të njohur si Teodor Laço, Mihal Luarasi, Stefan Çepaliku etj. Ndërsa nga ata që nuk kanë fituar, emrat e njohur nuk mungojnë si Ruzhdi Pulaha, Diana Çuli, Arben Kumbaro etj.
Ndërkohë fituesit do të shpallen në datën 28 Shkurt dhe Ministria e Kulturës do të bëjë përpjekjet e saj në mënyrë që këto vepra fituese të bëhen pjesë e repertorit të Teatrit Kombëtarë, por kjo gjithsesi do të mbetet në dorë të regjisorëve që do të pranojnë të veprojnë mbi këto vepra shqiptare./tvklan.al