Ministria e Transporteve ka deklaruar se do të marrë menjëherë masa për rikthimin për të disatën herë të ndriçimit të autostradës Tiranë-Durrës, e cila për disa ditë me radhë ka qenë në fokus të kronikave tona. Sipas kreut të këtij dikasteri Sokol Olldashi,problemet e herëpashershme me linjën elektrike kanë shkaktuar edhe mungesën e energjisë në një pjesë të konsiderueshme të segmentit.
Sokol Olldashi: “Nuk ka ndonjë detyrim për të ndryshuar superstradën. I vetmi vend në botë që i ka autostradën e ndriçuar është Belgjika. Të gjithë vendet e tjera Gjermania, Italia,Franca i kanë autostradat të pa ndriçuara. Ne e kemi përfunduar sistemin e ndriçimit nga Tirana deri në Vorë dhe problemi që krijohet aty është i vazhdueshëm për shkak të dëmtimeve që bëhen në linjën elektrike. Riparojmë,dëmtohet, riparojmë dëmtohet”.
Gazetari: Si do të veprojë ministria?
Sokol Olldashi: “Do ta riparojmë prapë”.
Prej disa kohësh aksi nga rreth rrotullimi i Zogut të Zi të kryeqytetit deri në mbikalimin e Rinasit në superstradën Tiranë-Durrës ka qenë totalisht i pandriçuar, si pasojë e mosfunksionimit të shtyllave elektrike mbi trafik ndarëset, segmenti është kthyer në një burim aksidentesh, si dhe ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Sa kaq edhe bashkia e kryeqytetit ka njoftuar se do të fillojë punën për verifikimin dhe rikthimin e energjisë në hyrje të superstradë”./tvklan.al