Shqipëria merr një mbështetje të fortë në rrugën e saj të integrimit në BE. Ky mesazh i është dhënë Ministres së Integrimit Majlida Bregu gjatë vizitës në Spanjë, vend që mban vizitën e radhës së bllokut 27 anëtarësh.
Në takimin me Sekretarin e Shtetit për BE-në, Diego Lopez Garrido, znj. Bregu u njoh me qëndrimin e Spanjës për aprovimin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë sapo Komisioni Evropian të dorëzojë raportin e përgatitur për vendin tonë, proces që pritet të ndodhë brenda muajit Maj.
Diego Lopez Garrido: “Liberalizimi i vizave është një çështje teknike që nënkupton përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit. Ne presim raportin e Komisionit Evropian në mënyrë që të vendosim aprovimin në muajin maj, në agjendën e Këshillit Evropian çka do të mundësojë hyrjen e menjëhershme në fuqi të liberalizimit të vizave. Ne mendojmë se integrimi i Shqipërisë në BE do të sjellë avantazhe për gjithë Komunitetin Evropian, për një bashkëjetesë më të mirë e për politika më të mira sociale ekonomike”.
Majlinda Bregu: “Ndihma që Spanja ka treguar gjatë këtyre viteve në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë ka qenë e vyer. Procesi i liberalizimit të vizave, i cili është një proces i rëndësishëm për qytetarët shqiptar, është një proces i cili në momentin e parë kur konsiderohen të përmbushura të gjitha detyrimet teknike nuk do të ketë asnjë vonesë tjetër që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza në zonën Shengen”.
Gjatë vizitës së saj në Madrid zonja Bregu u takua gjithashtu dhe me Anëtarë të Komisionit Parlamentar të BE.
Pasi u njohën me situatën politike në Shqipëri, anëtarë të këtij komisioni e cilësuan bojkotin e opozitës si një paradoks politik, që nuk çon në asnjë zgjidhje dhe nuk i shërben interesave të vendit.
Deputetët spanjoll theksuan se janë të gatshëm të kontribuojnë me ndërgjegjësimin e opozitës shqiptare për rëndësinë e përfaqësimit në parlament dhe miratimin e ligjeve të nevojshme për integrimin e vendit në BE./tvklan.al