Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo ka bërë një vizitë pune në spitalin e Fierit. E shoqëruar edhe nga drejtoresha e këtij institucioni Najada Jahiqi, ajo ka vizituar ambiente të ndryshme të spitalit mbi të cilin është investuar nga qeveria aktuale një shume prej 110 milionë lekësh të reja.

Anila Godo: “Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është investuar në spitalin e Fierit disa herë në një shumë totale prej 110 milion lekë të reja. Pjesa më e madhe e këtij financimi ka qenë në drejtim të ndërhyrjeve në infrastrukturë, kryesisht në rikonstruksion të Poliklinikës, rikonstruksion të repartit të Pediatrisë dhe disa ambienteve të tjera si dhe një pjesë ka qenë financim për mobilim dhe për pajisje të ndryshme. Duket e pamjaftueshme, ne duam për Fierin për një spital rajonal që mbulon një qendër të madhe një nivel më të lartë dhe në planet e afërta ndoshta në vjeshtë për në vitin 2010 do të bëhen planet për një ndërhyrje të thellë dhe të gjerë infrastrukturale. Dy lajme të tjera të mira pak a shumë për spitalin e Fierit është që në projektin e madh të Bankës Botërore një pjesë e këtij projekti është edhe blerja e 4 aparateve të reja të mamografisë. Spitali gjithashtu do të pajiset me një autoklavë të ri modern që do të zgjidhi problemet e një autoklavi jo në funksion të mirë që konstatuam në këtë spital.”

Godo u ndal në sëmundjen e gripit të derrave duke siguruar personelin mjekësor që gjendja është nën kontroll.

Anila Godo: “Nga OBSH-ja na referohet që të vazhdojmë të mbajmë në një nivel të lartë vigjilencën dhe gatishmërinë, por të mos shtojmë masat e marra deri tani pasi duket që pak a shumë gjendja është nën kontroll.”

Më pas ministrja e shëndetësisë mori pjesë dhe në çeljen e qendrës spitalore Amerikane në Fier, ku përshëndeti hapjen e këtij spitali duke e cilësuar atë si një bashkëpunim ndërmjet sektorit privat me atë shtetëror./tvklan.al