Pas 37 blindave që mori dhuratë nga qeveria amerikane, ushtria shqiptare do të ketë në arsenalin e saj edhe 3 helikopterë të modelit “Black Hawk”. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë vizitës zyrtare që pati në Pentagon, e dyta brenda këtij viti. Teksa theksoi mbështetjen për Reformën në Drejtësi, Xhaçka u ndal edhe tek punimet për bazën e Kuçovës.
“Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”.
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, vlerësoi rolin e Shqipërisë në aleancë dhe angazhimin e të dy vendeve përballë rrezikut rus në rajon.
“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”.
Marrëveshja me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për helikopterët “Black Hawk” parashikon gjithashtu edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.
Tv Klan