Mjeku onkolog Edmond Gashi, i vënën nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për dyshimet se shpërdoroi detyrën do të përballet me një tjetër akuzë, atë të thyerjes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Të enjten pas seancës ku iu konfirmua masa, ai u largua nga ambientet e gjykatës duke dalë nga një derë e pasme e cila përdoret nga personeli dhe hapet vetëm me anë të bexhave.
Pamjet nga holli i gjykatës treguan se 47-vjeçari pasi u larguan të gjithë pas përfundimit të seancës ka pritur aty disa minuta dhe në momenti që një punonjëse e Gjykatës del nga dera përfiton për t’u larguar. Sapo del ai duket teksa vrapon.
Policia me anë të një komunikimi zyrtar tha se pas këtyre momenteve mjeku ka qëndruar në një lokal duke thyer masën e sigurisë.
Nën hetim për këtë çështje u vu edhe shtetasi Egi Sorra, i cili fshehu DVR e kamerave të sigurisë, duke penguar zbardhjen e të vërtetës sipas Policisë. Edmond Gashi dyshohet nga Prokuroria se në bashkëpunim me disa kolegë të spitalit onkologjik orientonin pacientët drejt spitalit privat për të marrë trajtim.
Tv Klan