Opozitës i mungon 1 votë, tërhiqet deputeti Kastriot Rexhepi
Para nisjes së seancës parlamentare për mocionin e mosbesimit të qeverisë, deputetët e opozitës ishin të bindur se kanë numrat dhe se qeveria do të bie.
“Sot janë votat për të rënë Qeveria dhe përfundimisht mendoj se do të lirohen qytetarët. Kjo ka rëndësi”.
Deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi, gjithashtu tha se do të votojë për të rrëzuar qeverinë, duke përsëritur se me “Levicën” nuk do të jenë bashkë as në listën për mandatimin e qeverisë.
“Ne asnjëherë nuk do të jemi në një listë, në tavolinë të përbashkët, me njerëz që janë antishqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti-Kosovë. As lista për mandatim nesër nuk do të lejojmë të jemi aty nëse është “E MAJTA”.
Por, pak para nisjes së seancës, u njoftua se opozita nuk i ka 61-deputetë. Mungonte Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA.
Nuk kaloi shumë kohë, Kastriot Rexhepi u bë “i gjallë”, përmes rrjeteve sociale. Ai në Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.
“Një nga kauzat kryesore të mija dhe subjektit politik Lëvizja Besa që i përkas, ka qenë integrimi euro atlantik i RMV. Duke patur parasysh momentumin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marr pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë. Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura”, ka shkruar Deputeti Kastriot Rexhepi në FB.
Nuk munguan reagimet.
Lideri i VMRO-DPMNE-së e krahasoi Kastriot Rexhepin me Amdi Bajramin, ndërkaq në Facebook lideri i së “Majtës” Dimitar Apasiev shkroi se “kanë rrëmbyer një deputet duke menduar se nuk do të bien”,kurse Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri duke shpërndarë një foto të Zaevit ka shkruar: “Game change”.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi hapi seancën, kurse gjatë numërimit doli se në sallë janë të pranishëm 61 deputetë. Por, Xhaferi tha se nuk pajtohet me nismën për mosbesim të qeverisë dhe nuk do të jetë i pranishëm kur do të konstatohet rendi i ditës.
Xhaferi ka thirrur Nënkryetarin e Kuvendit, Fadil Zendelin e Besës, që të vazhdojë ta drejtojë seancën duke bërë me dije se nuk do të jetë deputeti i 61-të në sallë.
Para seancës, në Kuvend kanë mbërritur me skafanderë edhe dy deputetët e VMRO-DPMNE-së që janë në izolim për shkak të COVID-19. Bëhet fjalë për Angelika Petkova dhe Nikola Micevski.
Klan Macedonia