Pas vendimit të Apelit që i dha vulën e partisë, Sali Berisha e nis mesazhin e tij në facebook me një falenderim për demokratët, që sipas tij, shkruan historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Sali Berisha, kryetar i PD: Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët! Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, në 1992 në rrëzimin e diktaturës, në ‘97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot, ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ia dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken!
Berisha thekson se ky vendim i Apelit, parandaloi kapjen e pluralizmit dhe është një ditë e mirë për çdo demokrat, edhe për ata që nuk janë me të.
Sali Berisha, kryetar i PD: Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Por sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre!
Në fund të mesazhit, Berisha bën thirrje për bashkim të çdo demokrati, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme.
Sali Berisha, kryetar i PD: Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rreth Flamurit te pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama.
Berisha ritheksoi se qëllimi i përbashkët i demokratëve është rrëzimi i qeverisë Rama dhe rikthimi i shpresës tek shqiptarët.
Klan News