Moti i keq ka shkaktuar problem në sektorë të ndryshëm në disa rajone të vendit. Si pasojë e shirave në zonën e Currilave një masiv toke rrëshqiti duke dëmtuar një ndërtesë të braktisur dhe një restorant.
3 shtëpi janë braktisur nga banorët prej mesnatës ndërsa 50 familje të tjera mbeten të izoluar në segmentin Vollgë-Currila për disa orë për shkak të bllokimi të rrugës.
Igli Cara:“Ka një projekt të Ministrisë së Mjedisit për ta tarracuar dhe për ta bërë këtë zonë, megjithatë kjo unë nuk jam teknik dhe nuk dua të hy në detaje teknike, por shpresoj që Këshilli Bashkiak, të gjitha forcat politike të Këshillit, por dhe kryetari i bashkisë, të gjej vullnetin për të ndërhyrë dhe për ta zgjidhur sa më shpejt këtë situatë.”
Rrëshqitje toke ka pasur edhe në Gjirokastër, për pasojë akset Gjirokastër-Tepelenë dhe Tepelenë-Memaliaj janë bllokuar për disa orë. Lëvizja u bë e mundur falë ndërhyrjes së Drejtorisë së Rrugëve.
Në Korçë reshjet e dëborës kanë shkaktuar problem dhe në furnizimin me energji elektrike. Prej mbrëmjes së djeshme nga shkëputja e linjës së transmetimit të energjisë kanë mbetur në errësirë disa lagje të qytetit të Korçës, si dhe qyteti i Maliqit, Bilishtit dhe Pogradecit.
Ekipet e punës të OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve në zonat e thella malore ku kalojnë dhe linjat e transmetimit të energjisë riparimi do të kërkojë më tepër kohë për shkak të terrenit të vështirë./tvklan.al