Nëse e pyet Kylie Jenner sesi është të jesh gjithë jetën e famshme, vështirë se mund të marrësh një përshkrim. “Është vërtet e vështirë për mua që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, tha biznesmenia për revistën Elle, “sepse nuk e di si do të kishte qenë ndryshe”.
Në këtë kopertinë, Kylie flet për modën, biznesin, fëmijët dhe disa prej ngjarjeve që kanë ngjallur kureshtjen e publikut. Në të njëzetat, Jenner përjetoi edhe thyerjen e miqësisë me Jordyn Woods e më pas pajtimin.
Prishja e shoqërisë me Jordyn në vitin 2019 ka qenë tepër mediatike ndërsa së fundmi vajzat janë shfaqur bashkë me shoqen aktuale të ngushtë të Kylie, Anastasia Karanikolau, në një video të postuar në TikTok.
“M’u thye zemra kur ndodhi”, thotë Kylie.”Ne jemi përpjekur gjithnjë që t’i flasim gjërat, kështu që s’ka qenë kurrë një ndarje me thikë, na duhej distancë. Sa herë diçka ndodhte, e mirë ose e keqe dhe më duhej të telefonoja dikë, do të ishte gjithnjë ajo. Ta humbisja më bëri të ndihesha e vetmuar, por duhej ta kaloja. Mësova shumë, fitova shumë pavarësi dhe isha aty për veten. Më ndihmoi të rritesha pak sepse ne ishim kaq të lidhura. Mendoj se që të dyja duhej të rriteshim, ajo duhet të hapte krahët e saj dhe të bënte çfarë duhej gjithashtu”.
Jenner është parë në shoqërinë e partnerit të saj, Timothée Chalamet por nuk ka ende asgjë zyrtare mes tyre. Fotot kanë qarkulluar, por asnjëri prej tyre s’ka thënë një fjalë më tepër për tjetrin apo të ketë postuar në rrjete sociale.
Duke folur në përgjithësi për zgjedhjen e ruajtjes së jetës së saj private, Kylie tha: “Mendoj se është e rëndësishme t’i mbash gjërat për vete. Ndonjëherë e kam të vështirë të marr një vendim vetë, kështu që mendimi i të gjithë botës…mund të jetë e vështirë”, përfundon ajo./tvklan.al