Denoncimi i radhës në emisionin “Stop” në Tv Klan vjen nga një mjeke e re kardiologe në spitalin e Gjirokastrës. Jona Leka që punon prej 4 vjetësh në këtë spital, tregon se të premten e kaluar gjatë një vizite rutinë, polici i kufirit Siri Kacaboni, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe e ka kërcënuar.

Kur polici po vizitohej, mjekja konstatoi se Kacaboni ishte vizituar pak kohë më parë nga një koleg i saj dhe kishte bërë të gjitha ekzaminimet. Polici ka filluar të tregojë episode të jetës së tij personale dhe e ka pyetur mjeken për origjinën. Kur nuk ka marrë përgjigje, ai është ngritur dhe ka nxjerrë armën e shërbimit nga një qese duke e mbushur në sy të mjekes. Ngjarja është filmuar nga vetë mjekja dhe situata e treguar provohet qartë.

Mjekja i është drejtuar policit duke i thënë: “Mund ta merrni ju lutem pistoletën tuaj të mbushur dhe ta hiqni që këtu sepse ky quhet kërcënim personi dhe ju jeni civil, keni bërë një veprim të rëndë në zyrën time si mjeke këtu në spital?“

Doktoresha Jona Leka e denoncoi incidentin dhe policia shkoi menjëherë dhe shoqëroi Kacabonin. Por në ambientet e komisariatit mjekja kuptoi se ngjarja po mbulohej nga kolegët e policit.

Për të marrë panoramën e plotë të ngjarjes, “Stop” realizon një telefonatë edhe me vetë policin Siri Kacaboni.

Siri Kacaboni: Unë jam për momentin jam në gjyq zoti gazetar. Ka marrë një gazetar, që të marrë versionin…

Gazetari: Për çfarë e keni nxjerrë armën në zyrën e zonjës?

Siri Kacaboni: Nuk e kam nxjerrë armën, unë kam vajtur për vizitë, vëllai im… Nuk nxjerr armë unë, se unë jam i sëmurë, kam dokumentet që kam vajtur për vizitë, nuk kam nxjerrë armë.

Gazetari: Ajo të ka regjistruar, ne kemi një video që është arma në tavolinë, më pas e merrni…

Siri Kacaboni: Tani, muhabetet nuk bëhen në telefon.

Gazetari: Juve nuk jeni proceduar a ndaluar nga policia, arma ju është marrë?

Siri Kacaboni: Tani nuk mund t’ju jap dot shpjegime.

Kur “Stop” filloi të interesohej për rastin në Policinë e Gjirokastrës dhe AMP, nisën të lëvizin gjërat dhe u bë gati dokumentacioni për në prokurori. Shefi i AMP Gjirokastër, Vasil Kalluci, pohon veprimet në fjalë që duhet t’i kishte ndërmarrë që kur Siri Kacaboni u shoqërua në kushtet e flagrancës.

Mjekja Jona Leka: Me atë çfarë u bë, se unë atë ditë, kur dola, e pashë aty jashtë edhe…?

Shefi i AMP Vasil Kallcini: Tani shiko! Ne folëm me prokurorin, po çojmë materialet. Ata janë kompetentë për masë ndalimi. Ne nuk kemi kompetencë ndalimi. Më thanë “do ta hetojmë”…

Mjekja Jona Leka: D.m.th është në qarkullim…

Shefi i AMP Vasil Kallcini: Eee, është në hetim.

Mjekja Jona Leka: Tha ndonjë arsye për çfarë…?!

Shefi i AMP Vasil Kallcini: Dhe ai qe si i paqartë doktoreshë, se unë tani të dyve ju mora…

Mjekja Jona Leka: Ai është i rrezikshëm. Në qoftë se ai mendërisht nuk është mirë, ai është një njeri i rrezikshëm, me pistoletë të ligjëruar nga shteti me vete.

Shefi i AMP Vasil Kallcini: Është dhe shkresa këtu, që do t’ia çojmë prokurorisë, 28.10, si numër shkrese…

Policit Siri Kacaboni i është bllokuar arma e shërbimit pasi dyshohet se mund të ketë probleme të shëndetit mendor.

Gazetari: Siri Kacaboni punon këtu? Është këtu?

Polici: Punon, punon këtu..Ja, të shikoj tek zyra…

Gazetari: Për këtë rastin, që ka ndodhur…instiktivisht, ato veprime? S’më duket mirë në reagim?

Shefi i personelit: Po jam në dijeni, se jam shefi i personelit edhe është bërë denoncimi nga doktoresha. Është marrë në pyetje nga ata të AMP-së. E ka bërë instiktivisht mo, kot…,e ka bërë pa vetëdije… Është një çikë si kështu…

Gazetari: Nejse, është për të ardhur keq, nuk është për të qeshur…

Shefi i personelit: Ai është i pezulluar. Kaq e kemi ne. Pastaj, se si do procedojnë ata të AMP-së, në rast se ata nuk marrin masë për këtë pastaj, marrim ne masën disiplinore si drejtori…/tvklan.al