Myrto Uzuni nuk di të ndalet në këtë sezon. Sulmuesi shqiptar shënoi dopietë në fitoren e pastër ndaj Racing Santander, për të gdhendur me gërma të arta emrin në librat e historisë së Granadës.
Me 46 gola në 103 ndeshje me skuadrën bardhekuqe, Uzuni bëhet lojtari i huaj që shënon më shumë me fanellën e Granadës. Një rekord që mbahej nga Youssef El Arabi, me 29-vjeçarin shqiptar që shënon kështu një tjetër shifër brilante me skuadrën spanjolle.
Tashmë, objektiv për Uzunin do të jenë shifrat e golashënuesve më të mirë të klubit, si Rafa Delgado (86), Trompi (77) dhe Juan Morales (58), teksa në dispozicion do ketë të paktën edhe një sezon tjetër, pasi ka kontratë me Granadën deri në qershorin e vitit 2026.
Mesatarisht, Uzuni ka shënuar thuajse 1 gola çdo 2 ndeshje. Në këtë sezon, beratasi ka realizuar 11 herë, duke qenë në garë edhe për Këpucën e Artë në La Liga 2.
Klan News