Dopieta historike me Granadën shpërblehet për Myrto Uzunin. Sulmuesi shqiptar është përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 18-të në La Ligën e dytë spanjolle.

Uzuni u vlerësua nga portali i specializuar i statistikave, “SofaScore” me notën 8,3 duke u bërë pjesë në këtë mënyrë në 11-ën që bëri diferencën në sfidat e fundjavës. “Bomberi” kuqezi po kalon një moment të shkëlqyer ku është rikthyer edhe në garë për të fituar “Këpucën e Artë” në La Liga 2, ashtu si bëri dy vite më parë.

Uzuni ndodhet në kuotën e 11 golave dhe 1 asist, duke qenë në vendin e dytë në këtë garë, vetëm një gol larg vendit të parë. Me 46 gola në 103 ndeshje me skuadrën bardhekuqe, Uzuni u bë lojtari i huaj që shënon më shumë me fanellën e Granadës. Një rekord që mbahej nga Youssef El Arabi, me 29-vjeçarin shqiptar që shënon kështu një tjetër shifër brilante me skuadrën spanjolle.

Tashmë, objektiv për Uzunin do të jenë shifrat e golashënuesve më të mirë të klubit, si Rafa Delgado (86), Trompi (77) dhe Juan Morales (58), teksa në dispozicion do ketë të paktën edhe një sezon tjetër, pasi ka kontratë me Granadën deri në Qershorin e vitit 2026. Mesatarisht, Uzuni ka shënuar thuajse 1 gol çdo 2 ndeshje.

Klan News