Lajme Arkiva 2003

50 lidhje të paligjshme janë ndërprerë nga ujësjellësi në fshatin Babrru kështu në kohën kur punohej për të nxjerrë jashtë tubacionit kryesor lidhjet primitive zona e kinostudios nuk furnizohej me ujë. Banorët e kësaj zone kanë gjetur ndërhyrjen si zgjidhjen e vetme për të patur 24 orë ujë pa ndërprerje. Sipas specialistëve vetëm nga ndërhyrja e paligjshme në dy linjat kryesore të Bovillës qytetit i mungon 500 litër ujë për sekondë. Banorët janë irrituar nga ndërprerjet edhe pse e dinë që është e jashtëligjshme.

Banor: Nga do e marrë ujin në vend tjetër unë jam në fshat. Kjo linjë kalon këtu, s’ka linjë tjetër.

Gazetarja: Po pse u bë kjo lidhje?

Banor: Pse u bë?! Se skam ç’të pi unë këtu në maj të fshatit në maj të Babrrusë.

Gazetarja: Tani ju nuk e quani të drejtë ndërhyrjen që po bën ujësjellësi?

Banor: Jo.

Gazetarja: Po ndërhyrjen që bëtë ju pak muaj më parë e quani të drejtë.

 Banor: E quaj sepse jam banor i kësaj lagjeje dhe më duhet ujë.

Banore: Librezën e paguajmë çdo muaj.

Gazetarja: Libreza nuk do të thotë asgjë përpara ndërhyrjes që keni bërë ju të jashtëligjshme.

Banore: Tani ne e bëmë atë gabim çfarë të bëjmë të vrasim veten? Ishim pa ujë.

Kjo është hera e dytë brenda 3 viteve që ujësjellësi kryen ndërprerje por pas tyre ndodhin sërish lidhje. Sipas punonjësve të ujësjellësit nuk ka ndëshkim edhe përgjegjës.

Punëtor i ujësjellësit: Ligji që sot disponojmë i Këshillit të Ministrave 236 na jep të drejtën vetë për një gjobë 10 mijë lekë të reja. Unë do ti bëja thirrje të gjithë këtij komuniteti këtu dhe të gjithë organeve kompetente të ndërhyjnë energjikisht dhe me forcën më të madhe që ka ligji, ndryshe Tirana nga ky tubacion pas 10 vitesh nuk do të marrë as një pikë ujë. Ujitja e një bahçeje prej 100 metra katrorësh është e barabartë me furnizimin e 5 familjeve me ujë, ndërkohë që në kryeqytet vuajnë me shumë se kaq./tvklan.al