Qytetarët: Kurrë të mos përsëritet 2020

Ka filluar numërimi mbrapsht, jemi në 60 sekondat e fundit të vitit 2020 dhe edhe përskaj faktit që qyteti i Shkupit nuk ka organizuar as koncert e as fishekzjarre në mënyrë të organizuar, shumë qytetarë vitin e ri vendosën ta presin në sheshin e kryeqytetit”.

Të gjithë po bëheshin gati për pamjet spektakolare të fishekzjarreve për të hedhur hapin e parë në vitin 2021, por kur ora shënoi 24:00 i vetmi ndryshim ishte data në kalendar, asgjë tjetër nuk ndodhi…

Derisa disa nga qytetarët në mënyrë individuale ndiznin ndonjë fishekzjarr, shihej edhe dëshpërimi se ndërrimi i moteve po bëhej në heshtje.

“Pritën diçka spektakolare, u mblodhën sikurse çdo vit tjetër nëse do të ketë fishekzjarre, megjithatë, pasi kaloi mesnata, qytetarët filluan ta boshatisin sheshin”.

Nuk munguan reagimet.

“Mendimi im, është krejt në rregull por shteti ka dhënë para për të blerë fishekzjarre. Ç’ka është puna? Cfarë feste është kjo? Kanë dalë njerëzit me pa fishekzjarre, por s`ka asgjë. Shumë pa lidhje më duket. Lokalet mbyllen në 18:00 por njerëzit kanë të drejtë të dalin të shëtisin. Por s’ka festë, nuk e di ku është problemi”.

Por si e vlerësojnë qytetarët vitin 2020 dhe çfarë presin nga viti 2021.

“Ishte një viti içuditshëm. Pres që të mos përsëritet asnjëherë një vit sikurse ky dhe presim që në 2021 të kthehemi në realitetin e mëparshëm”.

“2020-ta ishte një vit shumë i vështirë dhe shpresojmë që më 2021 të rregullohet gjithçka dhe t`i kthehemi normalitetit”.

-Si ishte 2020 dhe ç’ka prisni nga 2021-ta?

“Super ishte, super, shkëlqyeshëm”.

-Çfarë prisni nga 2021?

“Akoma më mirë, akoma më mirë”.

Viti 2020 u mbyll ashtu siç edhe u zhvillua. Me masa të veçanta për mbrojtje nga koronavirusi, pa organizime e as mundësi për organizime, as në ambiente të hapura e as në ato të mbyllura, me maska në fytyrë e kontrolle të shtuara policore.

Me objekte hoteliere që u mbyllën që në orën 18:00, por me shpresën që viti i ri të jetë një vit i mbarë.

Klan Macedonia