Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare, ish-sulmuesi shqiptar, Hekuran Jakupi. Ish-futbollisti, prej kohësh luftonte me sëmundjen e rëndë, e cila i mori jetën mëngjesin e kësaj të enjte.
Në Shqipëri, Jakupi luajti me disa skuadra si Elbasani, Bylis, Tirana, Teuta dhe Erzeni, nga 1990 deri në vitet 2000.
Për këtë ndarje nga jeta, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i shpreh ngushëllime familjarëve, për këtë humbje të madhe.
“Me hidhërim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të Hekuran Jakupit, ish-sulmuesit që bëri mijëra tifozë të festonin golat e tij gjatë kohës që mbronte ngjyrat e skuadrave të ndryshme si Elbasani, Teuta, Tirana, Erzeni dhe Bylisi.
Futbolli shqiptar humbi një njeri pasionant gjatë kohës që luante në fushë. Me të njëjtin pasion ai vijoi të përkushtohej në botën e futbollit, duke punuar në përgatitjen e brezave të rinj si trajner.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Hekuranit! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, shkruan Duka.
/tvklan.al