Mes 17 të arrestuarve edhe shefi i Rendit në Shijak
Punonjësit e policisë në Durrës, të përfshirë në skemën korruptive, përfitonin nga 1.500 euro deri në 7.000 euro për ndërtime të ndryshme, si objekte banimi, magazine etj.
Rrjeti i abuzuesve u zbulua pas nisjes së hetimeve për 2 dy efektivë policie, përkatësisht për Agim Osmanin ndihmës specialist dhe Gani Dama, polic patrulle. Të 17 të arrestuarit mes tyre edhe zyrtarë të pushtetit vendor dhe ndërtues, u zbuluan pas përgjimeve të prokurorisë. Mes të ndaluarve është dhe shefi i rendit në policinë e Shijakut, Besnik Domi.
Pas hetimeve që zgjatën rreth 7 muaj, të arrestuarit akuzohen për të paktën ndërtimin e 37 objekteve të paligjshme. Kanë qenë denoncimet e qytetarëve ata që kanë zbuluar paligjshmërinë, ku ndërtuesit, njëkohësisht edhe përfitues, kanë shmangur zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.
Abuzimi me detyrën konsiston në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale.
Tv Klan