32 operatorë kabllorë lokalë në të gjithë Shqipërinë transmetojnë në mënyrë pirate ndeshjet e Champions Lague. Krejt në kundërshtim me ligjin për televizionet, duke filluar që nga Shkodra e deri në Sarandë këto pseudo televizione jetojnë dhe përfitojnë të ardhura duke transmetuar prodhimet e shumë televizioneve të tjera.
Ato kanë transmetuar në kanalet e tyre ndeshjet e djeshme të Champions League dhe me shumë mundësi do ta përsërisin këtë edhe në mbrëmjen e sotme. Këto kanale kanë marrë piratisht sinjalin kryesisht nga Tv Klan dhe Supersport, por edhe nga kanale të tjera ballkanike e evropiane.
Kabllorët janë duke përfituar në këtë moment nga mos ushtrimi i detyrës së Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve. Ky organizëm në një kohë të mëparshme aplikonte dhe gjobat për këto televizione, por më pas i falte ato.
Toleranca e KKRT-s më parë dhe mungesa e ushtrimit të autoritetit në këtë moment i anëtarëve që kanë mbetur në detyrë, ka bërë që fenomeni i piratërisë të përsëritet.
KKRT është organizmi rregullator dhe kontrollues i të gjithë mediave elektronike në Shqipëri, por ky organ që pretendohet të jetë ai që vendos ekuilibrat në mediat shqiptare, nuk e ka forcën të kontrollojë këto televizione kabllor.
Gara e Champions League, aktiviteti më i madh futbollistik kontinental për klube i ka kushtuar qindra, mijëra euro kompanisë Supersport dhe këto kabllor që janë quajtur edhe kioska po dhunojnë pronën e Supersport./tvklan.al