Tanimë që zgjedhjet po afrojnë, secila forcë politike nis me fushatën e saj ku padyshim rol kyç ka drejtuesi. Në rastin e kreut të PD, gjërat komplikohen pasi ai ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi” prej më shumë se 8 muajsh. Sonte për “Opinion”, Sali Berisha thotë se Partia Demokratike do ketë një grup qendror i cili do komunikojë vazhdimisht me të përgjatë fushatës elektorale.

-Zoti Berisha, ju jeni deputet, por mbi të gjitha kryetar i PD. Ju duhet të drejtoni fushatën dhe për këtë duhet të lëvizni i lirë në të gjithë territorin. Si do realizohet kjo gjë?

Sali Berisha: E gjithë beteja që është bërë gjer sot është bërë pikërisht që të largojnë Sali Berishën si kryetar i PD. Është shumë e njohur, nga viti 2021 deri sot. Mirëpo kjo jo vetëm e ktheu Sali Berishën në krye të PD, por e saldoi në krye të PD.

-Po nëse Gjykata nuk e pranon, a do ketë një drejtues tjetër fushate të deleguar nga ju?

Sali Berisha: Fushata do drejtohet, sigurisht që janë 11 drejtues për çdo qark, lider të çdo qarku. Do ketë një grup qendror në komunikim konstant e të vazhdueshëm më Sali Berishën. Nuk ka mekanizëm, janë të pashpresë ata që mendojnë se mund të uzurpojnë apo t’i caktojnë PD-së kryetarin. Është çështje sovraniteti!

/tvklan.al