Vdekja e 17-vjeçares nga qyteti i Korçës së disa ditë pas operacionit të bajameve në një klinikë private në Pogradec, ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë të nisë një kontroll të gjerë mbi klinikat private dhe gjendjen e spitaleve në vend.
Nard Ndoka: “Në Tiranë është ushtruar një numër i madh kontrollesh. Janë disa klinika të cilët janë pezulluar, janë disa të tjera të cilat janë të mbyllur se s’kanë pasur dokumentacione përkatës por edhe me mungesën e plotësimit të standardeve, kontrolli do shtrihet tashmë në të gjitha qytetet e vendit”.
Përsa i përket rastit të 17-vjeçares, ministri Ndoka tha, se i është dhënë e gjithë ndihma e nevojshme mjekësore. Pavarësisht se mjekët deklaruan se në spitalin francez mungon salla reanimatore.
Nard Ndoka: “Pa një sallë reanimatore nuk mund të kryhet një operacion. Mund të jetë që nuk i plotëson standardet, nuk kam një informacion në lidhje me këtë”.
Lidhur me hetimin e ngjarjes tragjike të familjes Petriti, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur grupin e punës, i cili pritet të ushtroi një kontroll në klinikën e mjekut Xhevahir Hoxhallari në Pogradec, ku pacientja kreu operacionin./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami