E keni menduar ndonjëherë se personazhet e filmave vizatimorë të tillë si Spiderman apo Batman të pastrojnë pluhurat e shtëpisë? Ose e anasjellta.
Kukullat e njohura nga vajzat, Barbi, të luajë futboll ose të jetë një lodër e djemve. Në dukje nuk ka problem, por që të nxisësh fëmijët e klasës së parë ose të dytë të mendojnë ose të krijojnë stereotipe të tilla, atëherë çështja bëhet më e komplikuar.
Të tilla janë manualet e qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, e cila në bashkëpunim me ambasadën suedeze ka financuar një seri të tillë botimesh, të cilat shërbejnë për mësuesit e fillores.
Sa kaq Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve e denoncon këtë seri botimesh, të cilat sipas kryetarit të saj, Altin Goxhaj, ende nuk kanë marrë aprovimin e Ministrisë së Arsimit.
Altin Goxhaj: “Është një program shumë i fortë, shumë i financuar, i cili ka mbuluar në trajnimin e vet gati të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Është program i zhvilluar në katër qytetet kryesore të Shqipërisë, përveç Tiranës dhe ka pasur rreth 14 grupe trajnimi, të cilat kanë synuar t’i mësojnë mësuesit që t’u bëjnë një mënyrë të re të bërit mësim fëmijëve. Ideja është që djemtë e vegjël mësohen që të zbulojnë anën e vet femërore dhe vajzat e vogla që të mësojnë anën e vet mashkullore dhe unë nuk e kuptoj dot si ka ndodhur kjo e gjitha nën hundën e Ministrisë së Arsimit. Në këtë program edukohen djemtë e vegjël që të luajnë me kukullën Barbi dhe ata djem që luajnë me kukullën Barbi, të mos ketë asnjë lloj influence nga mjedisi që t’jua ndryshojë këtë lloj lodre, t’u japë një lodër më mashkullore, do të thoja. Gjithë ky proces ndodh nën hundën e prindit, në mungesë së dijenisë të plotë të prindërit. Nesër do të çojmë në Parlament, në Komisionin Parlamentar të Arsimit, një kërkesë për një seancë dëgjimore me Ministrinë e Arsimit dhe mbase edhe me palët e interesuar në qoftë se duan të vijnë për të diskutuar se me ç’të drejtë jepet në të gjitha shkollat 8-vjeçare të Shqipërisë ky program fëmijëve të vegjël.”
Të konceptuar si manuale për mësimdhënie këto botime përfshijnë të gjitha lëndët e klasës fillore, ku hartohen detyra të ndryshme për nxënësit, të mendojnë se si një djalë do të ishte vajzë, ose një vajzë të ishte djalë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani