Qeveria Meta në prag të ndryshimeve të tjera tashmë në rang zëvëndësministrash. Kreshnik Tartari njeriu që iu besua reforma në sport gjatë qeverisjes së Kabineteve Qeveritare Majko- Meta do të largohet nga posti në mbledhjen më të afërt të qeverisë. Kështu është shprehur dje Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama.
“ Zoti Tartari defakto nuk është më zëvëndësministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Që pas një bisede të gjatë që kemi patur që ka ndodhur dhe që ka të bëjë pikërisht me këtë që dhe me zotin Tartari unë e kam mik, e kam patur dhe do ta kem mik. Kemi qënë në parim dakort me të gjitha lëvizjet që duhen bërë por tempi i aksionit ka qënë i ndryshëm. Pra nga pamja e tempit kemi patur gjithmonë probleme dhe duke qënë se siç e di, opinioni, zoti Tartari ka pas ato kompetenca të nevojshme për ti ushtruar njësoj sikur të ishte Ministër i Sportit, atëherë ka qënë një pozicion gjithmonë mjaft delikat për të ndërhyrë në këtë gjë. Defakt ky është një akt i cili do të formalizohet besoj në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pasi unë i kam kërkuar zotit Tartari që pikërisht për këtë mospërputhje dhe në respekt të marrëdhënieve tona personale që kanë qënë, janë dhe do të mbeten shumë të mira, të marrëdhënieve tona në raport me institucionin që kanë qënë dhe janë korrekte të lërë detyrën dhe ai e ka lënë detyrën”.
Vetë Tartari është shprehur sot se i vetmi problem mes tij dhe ministrit Rama është disniveli i ritmeve në ecurinë e reformës në sport. Ndërkohë edhe Presidenti Mejdani nuk ka firmosur dorëheqjen e Ministres Shuli dhe dekretimin e ministrit të ri Sokol Nako të emëruar nga Kryeministri Ilir Meta./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame