Ajo është e vetmja ventrilokuist në Shqipëri, dhe jo pak herë ka folur me plot pasion për profesionin e saj të jetës. Sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan Arjeta Dhima tregon për herë të parë objektet që i ruan me fanatizëm dhe që për të mbartin shumë kujtime.

E vendosur mes të shkuarës, asaj që ka kaluar dhe të tashmes ajo ndalet tek kujtimet me gjyshen e saj të ndjerë. Ajo ndërroi jetën ditën e parë që Arjeta Dhima doli në skenë. “Do të luaj për ty”, kujton artistja premtimin që i bëri vetes që prej atij momenti.

Në studio ajo ka sjellë fustanin e gjyshes, atë që asaj i shkonte më shumë, pikërisht veshur me këtë fustan Arjeta Dhima kujton ditën e parë të premierës pasi ishte diplomuar, duke përshendetur duartrokitjet e publikut.

“Në fakt janë dy objekte të së shkuarës dhe asaj që do të vijojë më pas. Historia nis me të vjetrin është fustani i gjyshes sime. Gjyshja ime ka ndërruar jetë, ditën e parë që unë kam dalë në skenën e Akademisë së Arteve dhe kur erdha nga funerali i saj mu desh që të ngjitesha në skenë me një premtim që “pavarësisht se nuk më pe unë do të luaj edhe për ty”. Nëna Naumka ka qenë shoqja ime e adoleshencës, unë nuk kisha fare frikë t’i thoja çdo sekret timin që nuk mund t’ia thoja dot as shoqeve dhe as prindërve, ajo ishte gati që të më dëgjonte dhe të më këshillonte. Kështu që hallat dhe mamaja ime pasi ajo ndërroi jetë vendosën që këtë të ma linin kujtim mua, sepse ishte një nga fustanet që i shkonte më shumë asaj. Pasi jam diplomuar në premierën e parë kam përshëndetur me këtë fustan. Edhe këtë e ruaj me shumë fanatizëm.”

Arjeta Dhima tregon një objekt tjetër që i ngjall kujtime, nuk është një fustan, por një arush. Dhe ajo që e bën të veçantë është personi nga i cili është dhuruar.

“Objekti tjetër është një Winnie Pooh jo për faktin se unë jam një ventrilokuiste dhe luaj me kukullat, por ka një histori shumë të veçantë për mënyrën se si është dhuruar ky Winnie Pooh. Shkojmë në shtëpinë e vëllait dhe ishte 8 Marsi, do të bënim atë shkëmbimin e dhuratave. Ajo pa që unë dhe mami hymë në shtëpi me dhurata dhe ajo është ndjerë pak keq, duke thënë që “këto erdhën me dhurata, po ne pse s’ kemi bërë një dhuratë”, sepse ajo nuk e dinte se çfarë plani kishte bërë mamaja e vet. Është ngjitur në katin e sipërm në dhoma e vet dhe ka shqitur në një nga çantat e saj këtë arush. Ka ardhur poshtë, e kishte fshehur mbrapa dhe më tha “kjo është një dhuratë për ty”, ishte vetëm 2 vjeçe.”/tvklan.al