Pas 2 raundesh bisedime të nivelit politik në Kretë dhe në Korçë, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i është drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta me një shkresë zyrtare ku i kërkon plotfuqishmërinë për të vijuar negociatat me Greqinë. Në tryezën e bisedimeve janë shtruar të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje mes dy vendeve, përfshirë këtu dhe përcaktimi i kufirit të hapësirës detare mes dy vendeve.
Vetëm me një autorizim nga kreu i shtetit, ekspertët e palës shqiptare mund të hyjnë në fazën zyrtare të negociatave. Ishte pikërisht mungesa e këtij autorizimi një nga arsyet përse Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar në mes dy qeverive në vitin 2009.
Televizioni Klan mëson se Presidenti i Republikës ka nisur konsultimet me paraardhësit e tij përpara se të japë një përgjigje. Mëngjesin e së mërkurës, ai ka takuar ish-Presidentin Bujar Nishani, ku në fokus ka qenë çështja e plotfuqishmërisë së grupeve negociatore.
Burimet pranë institucionit te Presidentit Meta bëjnë me dije se kreu i shtetit do të shqyrtojë në detaje kërkesën e Ministrit të Jashtëm Bushati. Ai do të kërkojë të jenë të përcaktuara qartë jo vetëm të gjitha çështjet për të cilat do të negociohet, por edhe përbërja e grupit negociator.
Të njëjtat burime nga Presidenca i thanë Tv Klan se presidenti nuk ka një afat kushtetues për t’ju përgjigjur kërkesës së Ministrit Bushati. Në muajin Prill është lajmëruar një vizitë zyrtare e Kryeministrit grek, Aleksis Cipras në Tiranë. Cipras dhe Rama kanë paralajmëruar se në fokus të kësaj vizite do të jetë konkretizimi i një marrëveshjeje strategjike mes Tiranës dhe Athinës.
Tv Klan